Skip to content
Perseid logo

Projekt · Në vijim · Shqipëri · 2021 — në vijim

Star Campers Albania

Nisma e astroturizmit nga e cila u rrit PERSEID: netët nën yje, kamping, ecje dhe mikpritje në destinacione të Shqipërisë.

Çadrat e ndriçuara nën një qiell me yje në malet e Shqipërisë

Star Campers Albania lindi në Shebenik nga një ide e thjeshtë: t’i ftonim njerëzit ta zbulonin një destinacion edhe pasi perëndon dielli. Nën një qiell me pak ndotje nga dritat, vëzhgimi i yjeve u bë pjesë e një përvoje më të gjerë me kamping, ecje në natyrë, biseda pranë zjarrit dhe njohje me njerëzit e zonës. Jemi krenarë që ishim të parët që e zhvilluam këtë format të organizuar të astroturizmit në Shqipëri.

Për katër vite, Shebeniku ishte vendi ku e ndërtuam dhe e përmirësuam këtë përvojë. Aty mësuam si të përgatisim një aktivitet në natyrë, si t’ua shpjegojmë qiellin njerëzve që e shohin për herë të parë përmes teleskopit dhe, mbi të gjitha, si të bashkëpunojmë me guidat, bujtinat dhe banorët lokalë. Mijëra pjesëmarrës u bënë pjesë e këtij rrugëtimi. Shumë prej tyre u rikthyen, duke na dhënë besimin për të ecur më tej.

Nga Shebeniku, Star Campers u shtri në destinacione të tjera të Shqipërisë, mes tyre Përmeti, Via Egnatia, Prespa e Madhe dhe Gramshi. Në çdo vend kemi kërkuar të ruajmë të njëjtën frymë, por t’i japim hapësirë karakterit të zonës: peizazhit, historive, mikpritjes dhe mundësive për të qëndruar e eksploruar më gjatë. Kështu, një natë vëzhgimi të yjeve mund të sjellë vizitorë edhe te bujtinat, guidat dhe shërbimet lokale.

Sot disponojmë katër teleskopë dhe vazhdojmë të investojmë në pajisje, njohuri dhe përvoja të reja. Vëzhgimin e qiellit e shoqërojmë me shpjegime të kuptueshme, astrofotografi dhe aktivitete që i nxisin pjesëmarrësit të bëjnë pyetje. Për të rinjtë dhe fëmijët, kjo është një mënyrë për t’iu afruar shkencës jashtë klasës; për destinacionet, është një mundësi për të zhvilluar një formë turizmi që vlerëson natyrën dhe qetësinë e saj.

Star Campers na rriti si ekip. Na mësoi të kthejmë një ide në një përvojë që njerëzit e kërkojnë, të punojmë me partnerë të ndryshëm dhe të dëgjojmë nevojat e komuniteteve ku shkojmë. Nga kjo punë lindi edhe dëshira për të bërë më shumë: të zhvillojmë shtigje, të ndajmë njohuri me të rinjtë dhe të krijojmë projekte me ndikim të qëndrueshëm. Kjo është baza mbi të cilën u krijua PERSEID.

Objektivat

  • Të organizojmë netë vëzhgimi dhe kampe nën qiellin e errët
  • Të përfshijmë guidat, bujtinat dhe banorët lokalë në çdo aktivitet
  • Të shoqërojmë vëzhgimin e qiellit me edukim dhe astrofotografi

Partnerët · Guida dhe bujtina vendase, Vullnetarë